April15 , 2026

“Shtegu i lirisë” mbahet më 26 prill 2026 – përgatitjet për marshin në Karadak janë në fazën finale

Share

Shoqata Bjeshkatare Alpiniste “Karadaku” dhe Trupi Organizativ i Marshit “Shtegu i lirisë” kanë përcaktuar sot pikat taktike të edicionit të katërt të këtij aktiviteti, i cili do të mbahet më 26 prill 2026.

Marshi “Shtegu i lirisë” organizohet në nder të 2 Majit – Shpalljes së zonës së lirë të Karadakut të Kumanovës dhe Ditës së Komunës së Likovës, dhe tashmë është pjesë edhe e kalendarit zyrtar të Unionit të bjeshkatarëve.

Sipas organizatorëve, nisja e marshit është paraparë nga Restorant Panorama në Likovë, ndërsa rruga do të vazhdojë në drejtim të fshatit piktoresk Orkoc, deri në fshatin Presnicë. E gjithë traseja ka një gjatësi prej rreth 12 kilometrash dhe një disnivel prej 450 metrash.

Organizatorët theksojnë se përgatitjet po zhvillohen sipas planit dhe se qëllimi i marshit mbetet promovimi i natyrës, kujtesës historike dhe bashkimit të pjesëmarrësve në këtë ngjarje tradicionale.

“Shtegu i lirisë” pritet të mbledhë edhe këtë vit një numër të madh pjesëmarrësish nga rajoni dhe më gjerë.

“Mirë se vini – ju mirëpresim!”

https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=pfbid0QRT4dfHGzG1yqLHA6p3ibK7ah2XqyiuTMkkS7eGWNfeyzLgTWMb734622YnYTxrLl&id=100090953206233