April22 , 2026

Autorit që vrau policin në Fier iu hoq burgimi i përjetshëm, flet babai i viktimës: Vrasje për herë të dytë, drejtësia të vihet në vend

Share

Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm dënoi me 35 vite burg Azgan Mërnicën, i cili vrau me armë zjarri, efektivin e forcave “Shqiponja”, 28-vjeçarin, Novruz Cenalia.

Më herët Gjykata e Fierit e kishte dënuar Mërnicën me burgim te përjetshëm. Prokuroria e akuzoi Mërnicën për veprat penale “vrasje e punonjësit të Policisë së Shtetit”, “armëmbajtje pa leje” dhe “drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”. Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi më 13 maj të vitit 2024, në fshatin Baltëz të Fierit.

Konflikti mes viktimës dhe Azgan Mërnicës, nisi për shkak se ky i fundit teksa i jepte makinës, u fut në kthesë me shpejtësi të lartë, pa e kontrolluar rrugën. Polici i ka tërhequr vëmendjen për këtë veprim, ndërsa Mërnica ka zbritur nga makina me çantën ku kishte futur armën. Pas debatit, autori hapi zjarr ndaj tij, duke i shkaktuar efektivit vdekjen.

Pas vendimit të gjykatës për zbutjen e dënimit për autorin e vrasjes së oficerit të policisë në Fier, Novruz Cenalia, ka reaguar për Top Channel babai i viktimës.

Asllan Cenalia thotë se vendimi ishte “vrasje për herë të dytë”, ndërsa thotë se vendimin do e bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë.

“Vendimi është i papritur për mua si prind. Si punonjës policie nuk e prisja atë vendim, por shpresoj te drejtësia deri në fund. Vendimi është vrasje e dytë për mua, çfarë të them? Do vazhdojmë rrugët ligjore, jam punonjës policie, zbatimin e ligjit. Nuk ka më të rëndë se ajo që na ndodhi, por do mundohemi ta përballojmë. Do ta çojmë vendimin në Gjykatën e Lartë, shpresoj që do të vihet drejtësia në vend. Ia kam lënë drejtësisë, të bëjë punën e saj” – u shpreh babai i policit të ndjerë.

Novruz Cenalia u vra nga Azgan Mernica në 13 maj të vitit 2024, në fshatin Baltëz të Fierit, pas një sherri për motive të dobëta. Së fundmi, gjykata ka zbutur dënimin për autorin, nga burgim i përjetshëm në 35 vite heqje lirie.