Nga Xhemajl Rexha
“Aeroporti i Prishtinës, i pari në rajon dhe i 7-ti në Evropë”, shkruan me të mëdha në edicionin qendror të lajmeve në Transmetuesin Publik, RTK. Për këdo që TV-në e mban ndezur sa për të bërë zhurmë e pa e dëgjuar, lajmi duket i pabesueshëm. I tillë është, sepse nuk është i vërtetë. Titulli në TV dhe në rrjetet sociale të RTK-së është manipulim i qëllimshëm i një fushate propaganduese të menaxhmentit të RTK-së dhe nënshtrimit ndaj Qeverisë dhe partisë në pushtet, Vetëvendosje. Aeroporti i Tiranës, sipas të dhënave vendore e evropiane, është lider në Ballkanin Perëndimor, kurse Aeroporti i Prishtinës në shtetin e 1.6 milion banorëve renditet mes vendit 110-120-të në Evropë. Raporti për të cilin fliste RTK-ja ishte krahasim vetëm me veten si aeroport nga viti 2024 në vitin 2025.
Ushtrues detyre, si sinonim i përgjithshëm i udhëheqjes me Kosovën, është togfjalëshi kryesor edhe në RTK. Drejtori i Përgjithshëm, drejtori i Televizionit, kryeredaktori – të gjithë operojnë dhe marrin vendime përtej mandatit kohor për të cilin janë zgjedhur ose emëruar. Kjo për shkak të mungesës së Bordit, si pasojë e dorëheqjes së dy anëtarëve pas skandalit me Slobodna Bosna. Akuza në lajmet qendrore se dy media private paguhen nga Serbia ishte pasqyrimi më alarmant i kapjes së RTK-së nga Vetëvendosje dhe keqpërdorimit të saj. Redaktorët që kanë provuar të mbajnë standard janë larguar dhe emisionet e tyre janë hequr nga skema programore.
Këtë gjendje të mjerueshme do të mund ta ndryshonte një bord i ri e profesional. Por, nuk ka asnjë shenjë se ai do të jetë i tillë. Mbi 60 persona kanë garuar për vendet vakante në Bord. Një shikim i shpejtë i listës tregon që shumica nuk janë të fushës, as nuk njihen për ndonjë rol me mediat apo rreth RTK-së. Një pjesë e mirë e tyre janë nxitur nga partia në pushtet për të garuar, me premtimin se do të votohen.
Ndarja e vetëm 8.9 milionë eurove buxhet vjetor për vitin e gjashtë me radhë tregon qartë se si e sheh kjo qeveri Transmetuesin Publik dhe rolin e tij. E do aty, të dobët dhe të nënshtruar, dhe dëshiron t’i bëjë punonjësit e saj që të punojnë me ato paga, e me vonesa për to, për ”hir të Republikës”. Sipas ligjit në fuqi, RTK-së i takojnë 0.7 % e buxhetit, që me rritjen e tij shkon deri në rreth 28 milionë euro buxhet vjetor.
Situatë jo shpresëdhënëse edhe në KPM
Shpresë nuk ka as për Komisionin e Pavarur të Mediave, ligjin për të cilin Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar në tërësinë e tij e kundër të cilit AGK-ja ka dërguar komente në gjykatë.
Shumë më pak individë kanë garuar për këtë Bord, e në mesin e tyre janë edhe ish-anëtarët Besnik Berisha e Luljeta Aliu. I pari, i zgjedhur jashtëligjshëm kryetar duke shkelur Rregulloren, e vërtetuar me vendim të Gjykatës Supreme. E dyta, përkrahëse e hapur e Qeverisë, që kur anëtarët e Komisionit Parlamentar për Media ia bënë “inkuizicionin” ish-kryetarit Jeton Mehmeti, u rreshtua me deputetët e Vetëvendosjes.
Vetëvendosje si shumicë parlamentare e udhëhequr nga kryeministri Kurti nuk e ka fshehur qëllimin për të shtypur dhe delegjitimuar mediat, publike e private, të vogla e të pavarura, kritike e më në mes. Këtë e bëjnë në baza ditore me angazhim në fushata denigruese e të targetuara kundër kujtdo që ua vë në pikëpyetje qeverisjen, ose ua nxjerr në pah korrupsionin e keqpërdorimet e pretenduara që si në rastin e ish-ministres Rozeta Hajdari, përfundojnë me aktakuzë nga Prokuroria Speciale.
Bordet e reja të RTK-së e KPM-së, nëse zgjidhen para shpërbërjes së mundshme të Kuvendit në fund të prillit, pritet ta vulosin rikapjen e të dyja institucioneve që janë shtyllë e rëndësishme e skenës mediale në Kosovë.
Shoqëria civile do të monitorojë nga afër procesin dhe do të alarmojë për shkeljet apo favorizimet e mundshme. Pavarësia e të dyja institucioneve është kyçe në ruajtjen e ambientit të lirë medial në Kosovë. Raporti i Reporterëve Pa Kufij përmend ndërhyrjet në të dyja institucionet, ku e rendit Kosovën në vendin e 99-të, historikisht më të ulëtin në më shumë se një dekadë. Me këtë qasje të Qeverisë dhe partisë në pushtet, trendi pritet të vazhdojë të jetë negativ dhe pa ndonjë shenjë për përmirësime.