Në një rrëfim të rrallë, në podcastin “Pa komplekse me Elionin”, në bashkëpunim me DritareTV, Kozeta Mamaqi ka ndarë dhimbjen e saj për humbjen e të birit, Sokol Olldashi, në nëntor të 2013-ës, duke sjellë kujtime që mbeten të gjalla dhe të pamundura për t’u harruar.
Ajo kujton momentin e fundit me të birin si një plagë që nuk mbyllet kurrë. “Ishte e tmerrshme. E përcolla te dera atë ditë. Më dha atë të puthurën e zakonshme në ballë. Edhe iku dhe s’erdhi më”, rrëfen ajo, duke shtuar se edhe sot e ka të vështirë ta pranojë realitetin. “Unë nuk mund ta besoj edhe sot. Si ka mundësi? Si ka mundësi? Ishte ora 6 e pasdites kur iku. Ishte një tmerr”
Humbja e tij e goditi aq fort, sa për një kohë të gjatë ajo u tërhoq plotësisht nga jeta sociale. “Nuk dola dy vjet e gjysmë nga pragu i shtëpisë. Më është tharë shpirti. Nuk kam më motiv.”, shprehet Mamaqi, duke treguar boshllëkun e madh që la pas kjo tragjedi.
Në kujtimet e saj, Sokol Olldashi mbetet një shpirt i ndjeshëm dhe i thellë. Ajo e përshkruan si një njeri që prekej lehtë dhe që kishte një botë të pasur shpirtërore. “Ky ishte shpirti i Kolit. Qante me ngashërim kur i lexoja. Ishte shpirt shumë delikat”, thotë ajo. Sipas saj, ai ishte i apasionuar pas letërsisë dhe artit: “Koli lexonte shumë, përkthente, i donte poetët, i donte këngëtarët… ishte shumë i ndjeshëm.”
Megjithë dhimbjen që mbart, dashuria e një nëne mbetet e përjetshme dhe e pakushtëzuar. Nëse do të kishte një moment për t’i thënë diçka të birit, fjalët e saj janë të thjeshta, por të mbushura me ndjenjë: “Do t’i thosha: shpirt, të dua shumë, të dua pafund.”/dritare.net