Pas publikimit të projektit të saj më të ri “EP IV”, Nora Istrefi ka qenë e ftuar në rubrikën “25 Pyetje”, ku nuk i shpëtoi pyetjeve rreth jetës personale, veçanërisht lidhjes me ish-bashkëshortin, Robert Berisha.
Prej javësh në media po qarkullojnë aludime për një ribashkim të mundshëm mes tyre, sidomos pas një darke që dyshja kaluan së bashku në Zvicër dhe deklaratave të fundit të Robertit, i cili nuk e përjashtoi një rikthim. E vendosur përballë këtyre thashethemeve, Nora reagoi me humor, duke qeshur dhe thënë shkurt: “A filluat prapë?”
Megjithatë, më pas ajo dha një përgjigje më të thelluar kur u pyet për mundësinë e shanseve të dyta në një marrëdhënie. “Besoj që çdo njeri e meriton një shans të dytë, në momentin e duhur… por ndoshta jo një të tretë,” u shpreh këngëtarja.
Në vijim të bisedës, Nora u vu përballë një zgjedhjeje interesante: një intervistë me ish-partnerin apo një pushim të përbashkët me të. Përgjigjja e saj ishte e drejtpërdrejtë dhe tregoi për raportin që ata ruajnë sot: “Të dyja i kam bërë.”
Ndërkohë që fansat po shijojnë këngët e reja nga “EP IV”, deklaratat e saj kanë shtuar edhe më shumë kuriozitetin rreth raportit me Robertin.