Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ejup Ahmeti, ka reaguar ndaj tezave të fundit në diskursin publik që e lidhin rritjen ekonomike në Kosovë me inflacionin dhe që e paraqesin Qeverinë si armiqësore ndaj sektorit privat, duke i cilësuar këto pretendime si të pabazuara si në aspektin teorik ashtu edhe empirik.
Sipas Ahmetit, ekonomia e Kosovës në vitet e fundit ka shënuar rritje reale prej rreth 4%, çka nënkupton zgjerim të prodhimit dhe shërbimeve, dhe jo vetëm rritje nominale të çmimeve. Ai thekson se kjo rritje reflektohet edhe në të hyrat buxhetore, të cilat për vitin 2026 parashihen të arrijnë në 3.64 miliardë euro, pa pasur ndryshime në normat tatimore. Kjo, sipas tij, dëshmon për zgjerim të bazës tatimore dhe rritje të përputhshmërisë fiskale, si rezultat i formalizimit të ekonomisë dhe shtimit të aktivitetit privat.
Duke kundërshtuar narrativën se rritja është produkt i inflacionit, Ahmeti rikujton se inflacioni pati kulmin në vitin 2022, si pasojë e krizave globale të energjisë dhe zinxhirëve të furnizimit, ndërsa më pas ka shënuar rënie dhe stabilizim. Ai argumenton se, nëse rritja do të ishte thjesht inflacionare, do të pritej një lidhje e fortë mes inflacionit dhe të hyrave, gjë që nuk është vërejtur në praktikë.
Në analizën e tij, deputeti veçon edhe zhvillimet në sektorin e jashtëm, duke theksuar rritjen e eksporteve, veçanërisht në shërbime, si dhe stabilitetin e investimeve të huaja direkte. Sipas tij, këto tregues sinjalizojnë një transformim gradual të strukturës ekonomike drejt sektorëve me vlerë më të lartë të shtuar.
Ahmeti nënvizon gjithashtu mbështetjen direkte për sektorin privat përmes politikave publike, duke përmendur mbi 100 milionë euro në vit të ndara për subvencione dhe grante në bujqësi, si dhe rritjen e vazhdueshme të pagës minimale, e cila ka arritur në 425 euro dhe pritet të rritet në 500 euro nga korriku.
Ai përmend edhe iniciativat për sigurim shëndetësor universal dhe diskutimet për mekanizma mbështetës si paga e 13-të për sektorin privat, duke i cilësuar si pjesë e një qasjeje të integruar ekonomike dhe sociale.
Në fund, Ahmeti thekson se përmirësimi i rendit fiskal dhe luftimi i ekonomisë informale kanë krijuar kushte më të barabarta në treg, duke rritur konkurrencën dhe efikasitetin. “Nuk kemi antagonizëm ndaj sektorit privat, por një tranzicion drejt një ekonomie me rregulla të barabarta”, përfundon ai.
https://www.facebook.com/share/p/18fiasB5iY/